PRITJA ZYRTARE DHE HAPJA E SEZONIT TURISTIK, EJA N’SHTËPINË TËNDE MË 10.06.2021

PRITJA ZYRTARE DHE HAPJA E SEZONIT TURISTIK, EJA N’SHTËPINË TËNDE MË 10.06.2021

Pritja Zyrtare me qëllim hapjen e sezonit turistik u realizua pas realizimit të Konferencës së Forumit Ekonomik Rajon, në sheshin “Italia” ora 19:00. Pritja u planifikua në kuadër të 1 vjetorit të startimit të projektit për promovimin e Turizmit Rajonal nga Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon me spotin “Eja n’shpinë tënde”.

Formati dhe organizimi i Pritjes Zyrtare u konceptua në bazë të një prej itinerareve të krijuara nga Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon në kuadër të promovimit dhe zhvillimit të turizmit rajonal me titull “Uji, Deti dhe Shqiptarët” i cili përfshin një itinerar të qyteteve shqipfolëse me objekt prezantimin e turizmit balnear. Skenografia e këtij eventi ishte dizenjuar nëpërmjet pemës së ullirit dhe degëve të tij si simboli që na bashkon të gjithëve.

Me prezencën e të ftuarve, ministrat e Turizmit, Kulturës dhe Bujqësisë së Qeverisë Shqiptare, Ambasadoren e SHBA-ve në Shqipëri Sh.T.Z Yuri Kim, Znj. Majlinda Bregu drejtuese e RCC (Regional Cooperation Council), kryetarët e komunave shqiptare në rajon, të ftuar dhe miq nga i gjithë rajoni, u çel kështu sezoni turistik në qytetet shqipfolëse të Ballkanit Perëndimor, nën moderimin e Orinda Hutës. U vlerësuan me “Mirënjohjen” e Unionit artistët: Sabri Fejzullahu, Emina Çunmulaj, Kledi Kadiu, Elita 5, Orinda Huta dhe gazetarja Rudina Magjistari për promovimin e destinacioneve turistike të rajonit dhe pjesëmarrjen në spotin “Eja në shtëpinë tënde”.